
Superioria mbylli javën e 32-të ditën e sotme dhe në axhendën e futbollit shqiptar vjen Kupa e Shqipërisë.
Të mërkurën do të luhen të dyja sfidat ku dita nis me Egnatia – Vllaznia në orën 15:00, në Rrogozhinë. Shkodranët e kanë edhe si një sfidë hakmarrje pas humbjes së turpshme në kampionat me rezultatin 0-4 përballë tifozëve të tyre. Ndeshja e parë në Shkodër u mbyll në barazim 1-1 dhe gjithçka është lënë për t’u vendosur në këtë takim.
Nuk mund të thuhet e njëjta për ndeshjen tjetër. Në orën 18:00, Teuta pret Tiranën përsëri në Niko Dovana pas ndeshjes së kampionatit ku i mposhtën 2-1 duke i dhënë një goditje të fortë bardhebluve për objektivin e tyre kampion.
Sfida e parë në Kupë përfundoi me fitoren 3-0 të Tiranës duke mbyllur që në atë takim llogaritë dhe kjo sfidë, nëse nuk do të kemi ndonjë mrekulli, pritet të nxjerrë Tiranën si finaliste.