Superioria mbylli javën e 31-të ditën e sotme dhe tashmë e gjithë vëmendja është kaluar në atë pasardhëse. Askush nuk ka kohë të festojë dhe llogaritë bëhen çdo sekond. Java e 32-të e elitës do të luhet të shtunën dhe të dielën.
Bie në sy se përballjet direkte janë shmangur teksa 5 ekipet e pjesës së sipërme të tabelës do të përballen me 5-shen e poshtme. Kjo nuk e pengon aspak faktin që çdo skuadër luan për pikët maksimale pasi në këtë fazë të sezonit, askujt nuk i intereson kundërshtari përballë.
Të shtunën në orën 15:00 java çel me 2 sfida. Egnatia do të presë Bylisin në shtëpi, mbetet për t’u parë stadiumi që do të zgjedhin të luajnë pasi Elbasan Arena është i zënë me ndeshjen tjetër paralelisht, Kastrioti – Vllaznia.
Në orën 18:00, në Niko Dovana, Teuta pret Tiranën kryesuese. Interesante për t’u parë sesi do të reagojnë durrsakët pas humbjes 3-0 në Kupë ndaj bardhebluve.
Të dielën luhen edhe 2 sfidat e fundit. Në orën 15:00, Laçi pret në shtëpi Erzenin me kurbinasit që tashmë janë zyrtarisht në garën për Europën teksa ndodhen në vendin e 4-të. Java do të mbyllet me ndeshjen Partizani – Kukësi në orën 18:00, aty ku të kuqtë kërkojnë 3 pikë në shtëpi për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion.