Drejtori i Partizanit, Elton Marini foli në konferencën për shtyp në prag të sfidës me Teutën ditën e nesërme në orën 13:00. Tema kryesore është shitja e Xhuliano Skukës dhe sesi do e menaxhojë Partizani këtë humbje të madhe. Marini përgjigjet për merkaton ku emra si Adili, Limaj dhe Klisman Cake janë përmendur sëfundmi.
Mendoni se me largimet e fundit në fushë jeni dobësuar, ndërkohë që nga ana financiare klubi ka arkëtuar shuma të kënaqshme.
: Mendoj që nuk jemi dobësuar, pasi edhe vet trajneri e përmendi që ne kemi një projekt të caktuar, i japim besim lojtarëve tanë aktual, kështu që fjala dobësim nuk më duket me shumë vend. Eshtë e drejt të themi që na janë larguar dy lojtarë shumë të mirë, të cilët kanë kontribuar gjatë për këtë skuadër, por siç e kam deklaruar edhe në konferencën e më parshme klubi nuk mund ti rezistoj këtyre shifrave të çmendura. Nëse ju kujtohet fraza ime e "çmendur" në këtë rast ka pasur një çmenduri futbollistike e cila është një risi e madhe. Eshtë ndoshta edhe krenari për klubin tonë që ka mundur të realizoj transferimin më të madh që është arritur në futbollin shqiptar. Financat janë të domosdoshme, të mos harrojmë që jetojmë në një vend ku nuk prodhojmë shumë para, ose të ardhura nga ky sport, kështu që burimi kryesor i prodhimit të të ardhurave patjetër që janë shitja e të drejtave të transferimit.
Unë personalisht për çështje afeksioni ndoshta do jem më i pezmatuari nga të gjithë sepse jam shumë i lidhur me djemtë , por i urojm suksese sepse kjo tregon punën e mirë që është bërë dhe ndoshta është një motivim më i madh dhe për të tjerët që të ndjekin rrugën e tyre.
Lojtarë si Skuka është vështirë të zëvendësohen -
: Mos harrojm që Skuka ka ardhur vjet në merkaton e janarit kështu që besoj të njëjtën pyetje do i keni bërë edhe trajnerëve të mëparshëm kur ka qenë vitin e kaluar. Asnjëri nuk besonte ke Skuka, ndoshta asnjëri nuk beson tek ata që do të vijnë në ditët në vazhdim. Ky është një proçes ikje-ardhje kështu që ashtu siç shpërtheu Skuka, besoj që ka shumë element të tjerë brenda ekipit që mund të kenë të njëjtin shpërthim.
E konfirmoni që shitja e Skukës është më e shtrenjta deri më tani?
: Shifrat janë të deklaruara në media dhe besoj që ajo është shifra reale e arkëtuar.
Merkato -
: Unë jam shumë i kujdesshëm kur përmend emra, panvarësisht se mediat mund të zbulojnë ndonjë sekret që qarkullon në zyrat tona. Mendoj që duhet të kemi respekt për lojtarët që janë në kontrat me klubet e tjera, kjo është çështje etike dhe profesionale. Për sa kohë që lojtarët që na interesojnë ne janë në kontratë me klubet e tjera nuk mund të përmendim emra. Ne jemi në negociata për repartet që kemi përcaktuar bashkë me stafin teknik aty ku është e nevojshme po punojmë. Të them të drejtën koha ka qenë pak e shkurtër pasi vet kjo periudhë e transferimeve është e tillë. E kemi deklaruar edhe më përpara që e kemi të vështirë për të pranuar opsionet e shumta që na vijnë nëpërmjet youtobe. Unë në natyrën time jam person që kam qejf ti shikoj një herë lojtarët në aksion dhe pastaj të vendosim me stafin teknik nëse do i marrim. Unë kam udhëtuar kam parë lojtarë, me disa kemi negociuar, me disa kemi vështirësi sepse siç e thash janë nën kontratë. Besoj që do të bëjmë diçka deri në fund të janarit kur edhe mbyllet zyrtarisht edhe dritarja transferimeve.
Mevlan Adili ka shprehur hapur për një bashkëpunim me Partizanin -
: Shumë lojtar mund të shprehen hapur dhe me dashamirësi për të ardhur te një skuadër e madhe si Partizani. Sigurisht ne na bëhet qejfi kur dëgjojmë kështu vlerësimesh nga futbollistët. Për sa më rezulton nuk ka qenë një emër në tavolinën tonë.
Klisman Cake dhe Vesel Limaj -
: Cake është në kontratë me Shkëdijën. Vesel Limaj është një lojtar shumë i mirë që edhe mua personalisht më ka lënë përshtypje të mira, por ka një problematik që ne nuk na ndihmon për rregjistrimin e lojtarëve. Duke qenë se ai zotëron pasaportën gjermane ne kemi shumë problem me numrin e lojtarëve të huaj. Për momentin nuk është një opsion i yni.
Qëndrimi i klubit për Rrapaj -
: Qëndrimi im është i qartë. Rrapaj të respektoj kontratën që ka deri në vitin 2025. Për transferimin e tij të mundshëm në një treg të suksesshëm siç ndodhi edhe me dy lojtarët tanë të më parshëm është një proçes që do të ndodhi pak më vonë dhe jo tani. Ne e konsiderojmë pak herët transferimin e Rrapaj.