
Ndeshja e parë e çerekfinales së Kupës së Shqipërisë në Air Albania mes Dinamos dhe Partizanit përfundoi 1-1. Cara realizoi për të kuqtë pas 25 minutash lojë, duke çuar në festë ekipin. Ekuilibrat do ri-vendoseshin në fund të 45 minutave të para, pasi akordohet penallti për dinamovitët. Ibraimi merr përsipër ekzekutimin e 11-metërshit dhe tregohet i saktë. Pavarësisht përpjekjeve, rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Pas takimit për Supersport foli trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi.
“Në pak ditë është ndeshja e 3-të që luajmë. Kjo u vu re edhe në fushë, ku gjendja fizike e jona ra. Nuk jam dakord që u duk një ndeshje e kotë. Asnjëri ekip nuk e çonte në mend sot kualifikimin. Llogaritë ishin bërë për 2 ndeshje dhe jo për një. Unë e konsideroj rezultat pozitiv, duke parë situatën në ekip.
Skuadra- Ekipi ka gjëra që ka përmirësuar. Jam i bindur që jemi rritur në karakter dhe cilësi. Patjetër që do jemi ndryshe kur Reginaldo, apo edhe Denisson të jenë në 100 përqindëshin e tyre. Kohë nuk ka dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të çuar klubin aty ku është nisur.
Ibraimi-Ibraimi po luan i detyruar. Në këto momente nuk kishim asnjë sulmues, pasi Chinedu kishte një problem shëndetësor. Ibraimi vuan pak, por s’kemi çfarë të bëjmë. Skuadra ka bërë maksimumin.
Formati- Më i mirë është me një ndeshje.
Merkato- Unë jam i kënaqur me Bardhin, pasi më pëlqeu në të dyja pozicionet. Jam dakord që na duhet edhe ndonjë përforcim. Tani është e vështirë pasi muaji janar nuk të ofron shumë mundësi” – tha ai.