
Jasir Asani do të vijojë të qëndrojë në Suedi. Edhe pse ende s’ka një vendim përfundimtar sa i përket të ardhmes, klubi i Partizanit bën me dije se është arritur marrëveshje që periudha e huazimit të shtyhet deri në 30 gusht të këtij viti.
Me pëlqimin e dy palëve si dhe vetë lojtarëve, ka ardhur dakortësia që e bën Asanin lojtar të AIK-ut deri në fund të këtij edicioni futbollistik. Në njoftimin për mediet bëhej me dije:
“Klubi njofton kohëzgjatjen e huazimit të Jasir Asanit te klubi AIK. FK Partizani dhe AIK në marrëveshjen e re të nënshkruar mes palëve kanë vendosur të shtyjnë afatin e huazimit deri në 30 gusht 2020, me të drejtën e blerjes në fund të lojtarit nga gjigandët suedez AIK.
Marrëveshja e re e cila është konkretizuar me pëlqimin e dy klubeve dhe lojtarit Jasir Asani, ka ardhur si pasojë e ndërprerjes prej më shumë se 2 muaj të aktiviteteve zyrtare të futbollit për shkak të situatës së krijuar nga COVID -19. Jasir Asani i cili u shpall kampion i Shqipërisë me të kuqtë, iu bashkua klubit të AIK në Janar të 2020, skuadër me të cilën debutoi me gol në ndeshjen zyrtare të kupës së Suedisë ndaj Kalmar”.
Kujtojmë që mëngjërashi u transferua në Suedi në merkaton e dimrit. Pezullimi i aktiviteteve futbollistike për shkak të COVID-19 pengoi 24 vjeçarin të tregonte vlerat e tij. Nëse do të vendoset nga suedezët të qëndrojë te AIK-u, klubi i kuq do të mbushë arkën me plot 400 mijë euro.