Kategoria Superiore ofroi një ndeshje vitrine, teksa në impiantin e ri "Air Albania", Tirana ia doli të mposhtte Partizanin (1-2), duke u rikthyer te suksesi. Në stadiumin e tejmbushur, të gjitha detajet nuk kursenin për ta përcaktuar si një ndeshje të nivelit europian. Një gjë të tillë e ka vënë re dhe Enea Jorgji, që ka qenë arbitër kryesor në derbin e kryeqytetit.
Në një postim në rrjetin e tij social, elbasanasi nuk ka kursyer elozhet për atë ndeshje, çka sipas tij na ka afruar më shumë me kulturën europiane. I zgjedhur nga UEFA për një sërrë takimesh në Ligat e ndryshme që zhvillohen në Kontinentitn e Vjetër, Jorgji duket se ka ndierë një copë të tillë atmosfere edhe mbrëmjen e së premtes në "Air Albania Stadium".
"Çdokush të jetë krenar për këtë natë të jashtëzakonshme. Ne po ecim nën kulturën Evropiane dhe po tregojmë se meritojmë më shumë", shkruan arbitri Enea Jorgji.
