Albi Doka u rrit te Tirana. Mbrojtësi që po shkëlqen në këtë fazë të kampionatit, shumë shpejt do të duhet të dalë në ankand. Klubi, lojtari dhe presidenca prej kohësh janë vënë në lëvizje për të parë një të ardhme të shkëlqyer për talentin bardheblu.
Por ka një ngërç që vjen pikërisht nga kontrata e Albi Dokës. A do të rinovojë mbrojtësi me bardheblutë? Nëse rinovon, largimi I tij do të sjellë të ardhura edhe për klubin, por nëse nuk firmos kontratën, do të thotë që gjithë rritja e tij cilësore te Tirana, do kalojë pa asnjë përfitim për bardheblutë.
Që vjet nisën negociatat, por burime nga klubi thanë se Doka kishte kërkuar të firmoste pasi të kthehej nga faza përgatitore në Antalia. Doka erdhi nga Antalia, por rinovim kontrate nuk ka akoma. E ndërkohë që lojtari heziton të ndjekë rregullat e klubit, nuk është habi që edhe Tirana të ndjekë rregullat e veta. Mala i Partizanit është duke vuajtur të njëjtin problem. Nuk firmos me Partizanin, dhe nuk stërvitet me ekipin, nuk është aktivizuar nëpër ndeshje dhe është “degdisur” te ekipi B.
Kjo gjë, ende nuk ka ndodhur te Doka. Nuk e kanë ulur në stol akoma. Por të dy palët janë në pritje. Klubi po pret një përgjigje nga Albi Doka, për të vendosur për të ardhmen e këtij të fundit.