Kategorisë Superiore tashmë i vjen fundi. Një sezon i luftuar dhëmbë për dhëmbë nga java e parë deri në këtë të fundit që do të luhet ditën e hënë në orën 16:00. Nga dueli i titullit, te Europa e në fund mbijetesa, çdo gjë është ende e hapur.
Gjithçka ishte në rrugën e duhur për Tiranën për të thënë se janë 90 minuta larg titullit kampion, ama tashmë nuk është kështu. Barazimi me Bylisin shokoi vetë klubin bardheblu dhe opinionin sportiv duke i hapur rrugën kështu Partizanit që kryeson me pikë të barabarta por më mirë në ndeshje direkte.
Në këtë mënyrë, do të kemi edhe një “derbi” të fundit në distancë. Të kuqtë presin Teutën në shtëpi dhe u duhet patjetër fitorja për të ngritur lart trofeun e 17-të në histori, por s’do të jetë e lehtë pasi durrsakët kanë të njëjtin objektiv por për Europën.
Tirana sfidon Erzenin në Niko Dovana por asgjë nuk ëhtë më në dorën e tyre, sidomos tani që janë në pritje të vendimit të Disiplinës për ngjarjet në Rrogozhinë. Egnatia luan pa presion prej 2 javësh teksa ka arritur objektivin Europë dhe ndaj Kukësit është thjeshtë një tjetër 90 minutësh. Kjo mund të jetë në favor të verilindorëve që me një fitore do të sigurojnë mbijetesën direkte.
Bylis – Vllaznia është një tjetër sfidë interesante e kësaj jave. Ballshiotët janë të dënuar të fitojnë por ironikisht, duan një nder nga… Tirana. Bardheblutë duhet të mposhtin Erzenin në mënyrë që ballshiotët të kapin të paktën zonën Play-Out.