Djemtë shqiptarë që përfaqësuan flamurin kuqezi në finalet e botërorit të futbollit të rrugës që zhvillohet në Brazil arritën që të vendosnin Shqipërinë mes katër skuadrave më të mira të botës. Ata u kualifikuan si të tretët në grupin C pas fitores me Perunë dhe Kanadanë Lindore, ndërsa fituan tre takime radhazi me Greqinë, Turqinë dhe Portugalinë duke arritur në gjysmëfinale mes 50 ekipeve në këtë kompeticion.
Sfida që u eliminuan ishte ajo kundër Hollandës. "Tulipanët" arritën që të eliminonin "Vetëtimat" nga ky kompeticion, ndërsa djemtë shqiptarë tregojnë se kanë luajtur sot kundër lojtarëve të akademisë së Ajax-it.
Në një deklaratë në fund të këtij kompeticioni ata thonë: "Shkuam deri në gjysmëfinale ku luajtëm kundër Hollandës. Arritëm që të shkonim deri këtu pasi dolëm të tretët në grup, ndërsa mundëm Turqinë, Portugalinë dhe Greqinë. Ndeshjet ishin emocionuese, por në gjysmëfinale luajtëm ndaj lojtarëve profesionistë. Ishin të gjithë pjesë e akademisë së Ajax Amsterdam, por e rëndësishme është që e futëm Shqipërinë mes katër ekipeve më të mira në botë. Nuk kishim se çfarë të bënim, kaq ishin mundësitë tona. Jemi shumë krenarë për këtë arritje", deklarojnë pesë djemtë e grupit "Vetëtimat" në mbyllje të këtij turneu.