Një ditë më parë newsport.al denoncoi publikisht shkeljen e Partizanit dhe abuzimin e bërë me biletat e stadiumit “Elbasan Arena” për ndeshjen me Skënderbeun. Korçarët reaguan disa orë më vonë duke kërkuar barazimin e biletave për tifozët miq. Fillimisht Partizani refuzoi të bëntë diçka të tillë por sot të kuqtë janë dorëzuar.
Newsport.al denoncoi shkeljen e kamufluar të të kuqve për subvencionin që klubi bën për biletat në llogari të kompanisë që menaxhon biletat (edhe pse kjo e fundit është pjesë e klubit për organizimin e takimit).
Skënderbeu kërkoi të uleshin çmimet dhe pasi mori refuzimin e Partizanit, presidenti Ardjan Takaj vendosi të paguante vlerën e parave për të barazuar biletat e tifozëve korçar me tifozët nga kryeqyteti.
FSHF nuk reagoi në gjithë këtë histori edhe pse duhej të kishte ndërhyrë pasi mban statusin e rregullatorit të garës.
Në fund Partizani u dorëzua duke rikthyer barazinë mes tifozëve dhe duke mos shkelur rregulloren siç ka bërë në raste të shkuara në përballjet me Tiranën.
