
Kukësi këtë sezon është shumë larg pritshmërive. Fillimi i dobët i kampionatit i pa verilindorët për herë të parë që nga ngjitja në elitë të renditen në zonën e rënies. Por falë rezultateve të siguruara me në krye Rraman Hallacin kanë bërë të mundur largimin nga fundi i klasifikimit. Tashmë ndodhen 3 pikë larg vendit të tretë, pozicion që të dërgon në Europë sezonin e ardhshëm, por njëkohësisht janë 2 pikë larg vendit të 8-të zonës "Play-Out".
Gjithsesi kur jemi vetëm 10 ndeshje nga fundi i sezonit drejtuesit e Kukësit kanë nisur të mendojnë edhe për lojtarët që janë të rëndësishëm në skuadër. Një rëndësi të veçantë drejtuesit u kanë kushtuar kontratave, ku një pjesë e lojtarëve do të kenë një qëndrim afatgjatë në Kukës. Lamçe, Owusun dhe Rashiti kanë firmosur deri në 2026, ndërsa Tafas, Berisha, Hasaj dhe Mbarak deri në vitin 2025. Deri në vitin 2024 kanë firmosur Gjelbrim Taipi, Ilieski dhe Delimedac.
Por përveç këtyre lojtarëve që do të jetë të sigurtë dhe për sezonin e ardhshëm, përsëri janë 7 futbollistë me “valixhe në duar”. Shqiprim Taipi, Basa, Ndreca, Bytyçi, Dragoshi, Ebert dhe Halimit u pëfundon kontrata në fund të këtij sezoni. Drejtuesit kanë nisur punën për rinovimet, teksa vetëm 3 prej tyre mbajnë në ankth verilindorët. Ndreca, Basa dhe Shqiprim Taipi janë titullarë të padiskutueshëm me fanelën e Kukësit për të cilët shpresohet të zgjatet bashkëpunimi edhe për sezonin e ardhshëm.