
Partizani luajti të mërkurën kundër Orikut, ndeshje që u fitua 2-0 nga të kuqtë, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse sfida u zhvillua në “Elbasan Arena”, skuadra e Colellës shfaqi probleme fizike.
Alfred Mensah u detyrua të linte fushën e blertë pas 56 minutash duke shqetësuar jo pak stafin teknik. Klubi i Partizanit ka paguar afro 50 milionë lekë për kartonin e tij në llogarinë e Skënderbeut, por deri tani ganezi nuk e ka dhënë kontributin e vet i penalizuar nga dëmtimet.
Dje, ai ka bërë rezonancën magnetike ku është mësuar se nuk ka asgjë shqetësuese dhe ndaj Kastriotit mund të jetë gati. E njëjta situatë dhe për të riun Zekolli që në Kupën e Shqipërisë la fushën i dëmtuar. Kujtojmë që 16 herë kampionët e vendit kanë ndërhyrë bindshëm në merkato duke dubluar çdo pozicion të fushë.