Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

5 fitore, 15 pikë dhe 13 gola, Emanuel EGBO, trajneri i TIRANËS që ka gjetur "kurën" për titullin kampion

Shkruar nga NEWSPORT
5 fitore, 15 pikë dhe 13 gola, Emanuel EGBO, trajneri i TIRANËS

Jo më kot thonë që intuita e një çasti nganjëherë vlen sa përvoja e një jete. E pikërisht kjo intuitë, kjo ndjenjë e brendshme me siguri ka bindur presidentin Refik Halili për t'ia besuar pankinën një njeriu si Emanuel Egbo. Shumë trajnerë në një periudhë të shkurtër, por askush nuk arriti të bënte këtë që po bën sot ky fjalëpak që prej 15 vitesh është pjesë e familjes së madhe bardheblu. Miliona lekë investime, asgjë e kursyer nga drejtuesit bardheblu, investime përtej Adriatikut, por...

Fqinji shpesh të bëhet vëlla i dytë, megjithatë askush nuk mund të zëvendësojë pjesëtarët e familjes tënde. Duhet të kalosh shtigjet, por asnjëherë i vetëm. Ashtu si në një familje, edhe në atë bardheblu ka shkallë hierarkike. Pas shumë vitesh erdhi dhe momenti i vërtetë për njeriun më punëtor të 24-herë kampionës së Shqipërisë, Emanuel Egbo. Duhej të kalonte në majë. Për të nuk ishte e lehtë, por jo e pamundur. Për bardheblutë ai do të jepte gjithçka. "Jam tirons i vjetër", deklaroi në një studio sportive. Brenda batutës, aty kishte shumë të vërteta.

Është ky 46-vjeçar ka provuar të fitojë gjithçka me Tiranën, është ky trajner që ka bërë kundërshtarët të vuajnë me pritjet e tij prej heroi, ka provuar të luajë në një skuadër me Fortuzin e shokë. E di fare mirë çdo të thotë të jesh pjesë e bardhebluve. E pikërisht këtë po mundohet t'ia "injektojë" lojtarëve të tij, sidomos brezit të ri. Fillimisht rëndësi ka prestigji, të jesh pjesë e Tiranës aspekti financiar kalon në plan të dytë. Njeh rrënjësisht këdo që ka kaluar apo është pjesë e bardhebluve. Askush tjetër veç tij mund t'i marrë maksimumin futbollistëve.

Kur e bën detyrën tënde, nuk ke më boshllëk më në zemër. E këtë Emanuel Egbo e ka bërë. E bëri atë të premten e 13 dhjetorit. Bëri atë që kolegët e tij s'e kishin bërë prej më shumë se 5 vitesh: Nderoi kryeqytetin, krenoi tifozërinë e zjarrtë bardheblu duke "thyer" rivalin e përjetshëm, Partizanin. Qëndroi me këmbë në tokë, nuk u vetëdeklarua kurrë si trajner i Tiranës. Përkundrazi theksoi se po ndihmon skuadrën në gjendjen emergjente. S'pranoi në asnjë moment që ai ishte "timonieri" i këtij ekipi që po mahnit me lojërat në fushë.

Parimisht detyra na bën t'i bëjmë gjërat mirë, kurse dashuria t'i bëjmë të bukura. Në fakt, Egbo këtë ka bërë. Detyra e tij si trajner e thërret t'i japë fitoret ekipit, ndërsa ndjenja e tij për këtë skuadër ka shndërruar ambientin bardheblu në atmosferë festive. Nuk ka polemika, nuk ekzistojnë zënkat më në stërvitje. Nuk ka pretendime për formacionin, kushdo që e meriton e sheh veten përballë topit dhe tifozërisë kryeqytetase. Me "bërrylat" është mësuar sepse ka një "jetë" në Tiranë dhe me përvojën që ka, po jep leksione se si shmangen për të mbajtur në këtë mënyrë larg "lugën" që ndodhet gjithmonë aty për të trazuar "ujërat".

Gjithmonë rreth familjes së madhe bardheblu janë vërtitur fjalë, por është ky Emanuel që po tregon se një gram shembull i mirë, vlen më shumë se një kuintal fjalë. Edhe një i verbër mund ta shquajë fare thjeshtë se ky njeri di të ecë me këmbë në tokë. Madje këtë e bën edhe sot pas 5 fitoreve, 15 pikëve dhe 13 golave të shënuar. Nëse të gjithë do të kalonim në eufori pas këtyre rezultateve, Egbo është rritur me futbollin dhe preferon t'i marrë ndeshjet një nga një.

Pyetet shpesh për titullin, por asnjëherë vetë ai s'e përmend një gjë të tillë. Në kohën e tij, kur luante në fushë, Tirana e niste gjithmonë në avantazh të 1 goli çdo përballje. Kishte kualitet, kishte cilësi, por mbi të gjitha kishte zemrën në fushë. Çdo gramë përvojë që ka fituar në këtë klub të madh në Shqipëri, ai po mundohet ta përçojë te futbollistët e tij. Bardheblutë janë shndërruar në një makineri të vërtetë. Vrapime të çmendura, pasime mrekulluese e mbi gjitha "lumë" golash. Ashtu siç thoshte Ylli Aga në fillim të sezonit, kjo skuadër tashmë po funksionon.

Duket sikur dikush e ka ndryshuar me magji. Lojtarët janë po të njëjtët si në fillim të sezonit. E vërteta është se një njeri që di t'i bëjë gjërat thjeshtë, e vërteta është më e bukur. E ky është realiteti i kësaj Tirane që këtë vit do të festojë 100 vjetorin e krijimit. Egbo bën thjeshtë, vë në lojë atë që di, nuk merret me skema "alla Barcelona" apo "alla Real Madrid", por ka vënë në "jetë" modulin më të bukur të bardhebluve: Mendjen në kokë dhe zemrën në fushë.

Prej më shumë se 6 vitesh Tirana nuk fitonte 5 ndeshje rresht. Tashmë këtë e ka bërë dhe me kundërshtarë mjaft të vështirë. Një plagë e mbartur prej vitesh, me Egbonë ka mbetur një vegim i keq. Çdo shtëpi ka një të parë, por shpesh herë dikush brenda familjes është i duhuri për të kaluar një situatë të vështirë. Egbo, ka gjetur "kurën" e bardhebluve. Ashtu siç di ai, i thjeshtë, pa polemika, kokën ulur është në mesin e shinave. E sigurt është që nga brenda po "vlon" për të ngritur edhe një herë trofeun e titullit ashtu siç ndodhte në kohën e tij. Ndoshta ka ardhur momenti. Atë që s'e kishte menduar më parë, sot është koha ta bëjë sërish vetë. Egbo në krye, lojtarët nga pas për të vijuar sprintin final drejt titullit kampion. /R. TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga