
Mateo Allkja ishte një nga lojtarët e dënuar sot nga Komisioni i Disiplinës. Futbollisti i Elbasanit është i detyruar të qëndrojë 24 muaj jashtë fushave të blerta sipas vendimit të Disiplinës. Për këtë newsport.al kontaktoi 19-vjeçarin i cili ishte mjaft i irrituar, ndërkohë shfaqte dhe shenja pendese.
" Nuk arrij ta kuptoj që për një ofendim të dënohem 24 muaj. E pranoj që kam bërë gabim, pasi ishin nerva loje, por të marrësh këtë masë për mua është e pakuptimtë. Nuk e di se çfarë do të bëj", tha fillimisht ai.
I pyetur më pas nëse do t'i drejtohet apelit, Allkja u shpreh: "Sigurisht. Unë s'mundem dhe s'do të qëndroj larg fushës së blertë" shtoi 19 vjeçari.
Por, edhe nëse Komisioni i Apelit do të lërë në fuqi vendimin e Disiplinës, lojtari i Elbasanit është i bindur për të mos hequr dorë nga futbollit, përkundrazi thotë: "Nga futbolli nuk largohem. Po detyrohem të lë Shqipërinë për të luajtur jashtë", përfundoi i mërzitur 19-vjeçari i ekipit elbasanas.