I papritur është lajmi i ndryshimit të axhendës së derbit të kryeqytetit. Partizani – Tirana ishte parashikuar të luhej ditën e dielë në orën 19:30 në “Air Albania”, por nuk do të jetë kështu.
Kjo sfidë është vendosur të luhet në orën 16:30 në po të njëjtën ditë dhe stadium. Ky ndryshim është miratuar nga Komisioni i Ligave dhe Garave. Dhe mësohet se është bërë për shkak të Vllaznisë.
Siç dihet klubi shkodran do të festojë ditën e dielë 107 vjetorin e themelimit. Kuqeblutë ishin parashikuar të luanin ditën e dielë ndaj Elbasanit në “Loro Boriçi” në orën 16:30, por pas kërkesës së shkodranëve kjo sfidë u vendos të luhej në orën 19:30, pasi do të mbahet një ceremoni festimev për ditën e themelimit të klubit.
Për shkak të përplasjeve në orar mes këtyre sfidave, tashmë është spostuar derbi dhe do të luhet në orën 16:30, ditën e dielë në "Air Albania", duel ky i vlefshëm për javën e 24-të të kampionatit.
