
Nesër, Shqipëria do të luajë përballë Spanjës në kuadër të eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”. Kuqezinjtë kanë mbërritur sot në gadishullin Iberik për t’u akomoduar në qytetin e Alikantit. Një sfidë mjaft e vështirë, por shumë e rëndësishme për imazhin e kuqezinjve tanë.
Në futboll vlen shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”, megjithatë kundër spanjollëve do jetë thuajse e pamundur. Loja e kampionëve të Botës është thuajse në përfeksion dhe kuqezinjtë tanë do ta kenë mjaft të vështirë t’i rezistojnë Furisë së Kuqe. Në fakt po të kthehemi pas në kohë, nuk mund të harrojmë kurrsesi atë mbrëmje të 4 shtator të vitit 2004, kur Shqipëria “shkurorëzonte” në Qemal Stafa, kampionët e asokohe, Greqinë.
Me golat e Murati dhe Aliajt, kombëtarja shqiptare do të ishte kryetema e ditës në mediat e gjithë botës. Në një ditë të veçantë, siç është kjo e sotmja kundër Spanjës, newsport.al ka kontaktuar pikërisht njërin prej autorëve të atyre golave, Edvin Muratin. Ish-mesfushori i njohur prej vitesh nuk jeton në vendin tonë, megjithatë lidhjet me futbollin shqiptar i ka mjaft të forta.
I pyetur se si do të përfundojë ky takim, Murati nuk ka preferuar të zgjatet, por thjesht ka deklaruar: “Do të jetë një ndeshje mjaft e bukur për Spanjën dhe e vështirë për Shqipërinë”. Më pas këmbëngulëm për t’i marrë një parashikim të saktë, por ai u mjaftua duke thënë: “Mund të parashikoj pjesën e parë barazim, vetëm kaq. As gola, asgjë s’mund të them”, përfundoi ai për newsport.al/ RETIN TOKA/