Kampi i Tiranës ‘zien’ që nga dita e djeshme teksa trajneri Orges Shehi nuk është më në krye të skuadrës. Rezultatet e dobëta bënë që klubi bardheblu të merrte një vendim me shumë peshë. Largimi i teknikut durrsak nga Tirana ka zgjuar interesin e klubit rival, Partizani, për të marrë shërbimet e tij.
Kalimi i Orges Shehit te Partizani, sigurisht nuk do të pritej aspak mirë nga Tirana dhe tifozët bardheblu ndaj klubi ka vepruar për parandalimin e kësaj situate. Në komunikimin zyrtar të klubit, Tirana njofton se e kanë pezulluar Orges Shehin, e jo shkarkuar.
-KOMUNIKATA E KLUBIT-
"Pas shqyrtimit të rrethanave, lidhur me situatën sportive dhe rezultateve te dobëta në të cilën ndodhet klubi aktualisht, bazuar në Kontratën individuale të punës, Klubi i Futbollit Tirana ka vendosur të pezullojë nga detyra trajnerin Orges Shehi.
Gjithashtu, klubi njofton se do të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale me trajnerin Shehi deri në përfundimin e saj."
Në këtë mënyrë, Orges Shehi është ende i lidhur juridikisht me bardheblutë dhe nuk mund të largohet drejt një skuadre tjetër pa miratimin e klubit. Mirëpo, kjo ka edhe pasojat e saj që në dukje mund të jenë të mëdha. Durrsaku do të vijojë të paguhet nga Tirana, por paga e tij është mjaft e lartë, plot 8.8 milionë lekë në muaj. Shehi në kontratën e tij ka të përfshira edhe bonuset për fitimin e kampionatit dhe nëse do të realizontë një sezon të suksesshëm, do të mbyllte vitin me 100 milionë lekë.