Teuta dhe Blerim Krasniqi kanë ndarë rrugët pas një sezoni. I afruar me bujë nga Skënderbeu, kavajasi nuk ia doli të tregojë cilësitë e tij në skuadrën e drejtuar nga Edi Martini. Dje në mbrëmje, 25 vjeçari dhe durrsakët janë "divorcuar" edhe zyrtarisht, me lojtarin që është gati për të firmosur me Gjilanin, në Superligën e Kosovës. Sezonin e shkuar, në 34 ndeshje në Superligë, Krasniqi realizoi vetëm katër gola.
Njoftimi:
Faleminderit Kampion! KF Teuta komunikon përfundimin e bashkëpunimit me sulmesin Blerim Krasniqi, i cili nga sot nuk është më pjesë e Teutës. Lojtari largohet nga Teuta duke lënë mbrapa plot kujtime për tifozerinë stafin dhe ekipin. Faleminderit Blerim për gjithçka dhe sidomos për titullin e fituar pas 27 vitesh. Përgjithmonë pjesë e familjes blu. Shumë suksese në vazhdim kampion!
