Vesel Limaj është larguar zyrtarisht nga Tirana. Përflitej prej ditësh arritja e marrëveshjes mes tij dhe presidentit Refik Halili për ndërprerjen e bashkëpunimit, por vetëm sot është bërë zyrtare. Përmes një postimi në kanalin zyrtar, kampionët e Shqipërisë falënderojnë fantazistin për kontributin e dhënë. Pas Kallakut, Limaj është i dyti që largohet nga reparti i mesfushës.
26-vjeçari u transferua te Tirana në merkaton e verës të vitit 2021 nga Kukësi. U prit se do të shkëlqente, por problemet fizike bënë që performanca e tij të kishte shumë ulje-ngritje. Në këtë sezon, hapësirat për të në formacionin titullar munguan. Dhe tashmë në këtë merkato dimri ai ka mbyllur bashkëpunimin me Tiranën.
Me bardheblutë, ai është aktivizuar në 49 ndeshje, 40 prej të cilave i ka nisur nga minuta e parë. Në total, për 1 sezon e gjysmë ka arritur të shënojë 6 gola për llogari të kampionëve. Pritet me interes të mësohet se cila do të jetë e ardhmja e tij. Me gjasë aventurën do ta vijojë jashtë Shqipërisë.
[caption id="attachment_677152" align="alignnone" width="582"] Vesel Limaj, lojtar i Tiranës[/caption]