
Tiago Ferreira është lojtari më i ri i Kukësit. Është klubi verilindor që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar bën me dije se qendërmbrojtësi i është bashkuar skuadrës në Turqi për fazën përgatitore.
Ai ka firmosur një kontratë që e lidh me kuksianët për dy sezonet e ardhshme. Me një CV të pasur, Ferrerira pritet të mbajë një peshë të madhe në fazën difensive për edicionin e ri futbollistik. Në njoftimin e bërë nga klubi i Kukësit thuhej:
“WELCOME TIAGO FERREIRA
Futboll Klub Kukesi njofton se qendërmbrojtësi portugez Tiago Ferreira është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 29-vjeçar ka firmosur me klubin tonë për 2 sezone, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër. Ferreira është bashkuar me ekipin në Turqi, aty ku edhe ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.
Ferreira vjen te Kukësi nga kampionati iranian, duke qenë sezonin e fundit pjesë e skuadrës së Tractor, teksa në të shkuarën ka luajtur edhe për ekipe si MTK Budapest, Universitatea Craiova, Uniao Madeira e Zulte Waregem por edhe me Portugalinë U21. Mbrojtësi 29-vjeçar është një prodhim nga akademia e Portos, duke qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Portos, teksa ka luajtur edhe me ekipin Porto B.
Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje mbrojtësit Tiago Ferreira dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Bem vindo Tiago!
Skeda e Lojtarit:
Emri: Tiago Ferreira
Mosha: 29 vjeç
Gjatësia: 1.85 m
Kombësia: Portugez
Pozicioni: Mbrojtës”