Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Zyrtare/ Një tjetër largim nga Skënderbeu, mbrojtësi bën gati valixhet dhe lë Korçën

Shkruar nga NEWSPORT

Hektor Idrizaj largohet zyrtarisht nga Skënderbeu. Mbrojtësi vlonjat ka pasur ditën e sotme një takim me drejtuesit e klubit korçar, duke ndërprerë bashkëpunimin me konsensus.

Idrizaj u transferua te Skënderbeu në verën e vitit të kaluar nga Flamurtari, skuadër ku ishte aktivizuar për dy sezone radhazi si titullar fiks.

Por, dëmtimi që pësoi në fillim të këtij sezoni e penalizoi mbrojtësin e krahut të djathtë, duke bërë që të reduktoheshin shumë, hapësirat në dispozicion të tij.

Gjithsesi, tashmë Idrizaj do të vijojë karrierën futbollistike në një tjetër skuadër, ndërsa për newsport.al shprehet: "Sot jam larguar nga Skënderbeu me marrëveshje. Kemi rënë dakord për të ndërprerë këtu marrëdhënien tonë, duke shtrënguar duart miqësisht.

E rëndësishme ishte që u morëm vesh dhe ramë dakord. Normalisht klubi ka qëllimet e tij dhe unë të miat personale. Futbolli kështu e ka.

Siç dihet, unë kisha edhe fatin kundër gjatë këtij sezoni me Skënderbeun, për shkak të disa dëmtimeve në fillim të sezonit, por edhe në vazhdim.

Ndoshta kam pasur disa momente për të dhënë kontributin tim, por jo çdo gjë varej nga unë.

Ndonjë peng pas këtij largimi nga Skënderbeu? Po. Fakti që nuk arrita dot të jepja maksimumin tim, më ka mbetur peng, por ashtu shkuan gjërat. Gjithashtu, edhe fakti që nuk fituam dot titullin kampion.

Ai ambient në Korçë e meriton që të jetë kampion, si klubi ashtu edhe qyteti e tifozët e Skënderbeut.

Si fillim doja të sqaroja të ardhmen time te Skënderbeu dhe tashmë do të shqyrtoj ofertat për të vijuar karrierën time diku tjetër. Për të thënë të vërtetën, kam pasur disa kontakte fillestare, por nuk mund të jepja dot mendimin tim përderisa deri më sot isha ende një lojtar i Skënderbeut. Nga sot e në vazhdim do të vijoj të shqyrtoj ofertat në drejtimin tim", deklaron Hektor Idrizaj për newsport.al.

Në të kaluarën, mbrojtësi 28-vjeçar është aktivizuar edhe me Bylisin e Teutën përveçse me Flamurtarin dhe Skënderbeun./ NEWSPORT.AL/ Andi TANKU

Poll

Lexo gjithashtu