
Dejan Vukicevic është trajneri i ri i Laçit. Gjithçka bëhet e ditur përmes rrjeteve sociale, me klubin kurbinas që e rikthen malazezin në krye të pankinës pas rreth 10 muajsh.
54-vjeçari dha kontributin e tij me Laçin gjatë 7 ndeshjeve, nga 17 gushti i vitit të shkuar deri më 18 tetor. Më parë ka trajnuar Feronikelin në Kosovë dhe skuadra të tjera jashtë trojeve shqiptare si Ventspils. Skema e preferuar është 4-2-3-1.
Kujtojmë se Shpëtim Duro, tekniku i mëparshëm, u largua nga bardhezinjtë pas skualifikimit në turin e dytë të Conference League nga Petrocub. Skuadra tani është në besimin e Vukicevic, që u shkarkua sezonin e kaluar pas humbjes nga Egnatia në shtëpi, sfidë e vlefshme për javën e 5-të.
Kur pritej që t'i besohej stoli një tjetër tekniku shqiptar, në Laç është menduar të ndryshojnë drejtim. Gjithçka mbetet për t'u parë gjatë javëve në vazhdim. Abissnet Superiore nis më 20 gusht dhe Laçin e gjen në shtëpi përballë Teutës.