Skënder Gega do jetë trajneri i ri i Kukësit. Verilindorët nuk kanë vonuar pasi përfunduan kontratën me Diego Longon dhe tashmë kanë njoftuar rikthimin e tropojanit në krye të pankinës. 58 vjeçari ka qenë në vitin 2020 trajner i Kukësit, por aventura e tij nuk zgjati shumë.
Gega mbahet mend në Superiore për fitimin e titullit kampion në vitin 2019 me Partizanin. Prezantimi i tij do bëhet të hënën në ambientet e stadiumit “Kukës Arena”. Kukësi kujton se ndërprerja e bashkëpunimit në sezonin 2020/21 me të, erdhi për shkak të gjendjes shëndetësore.
“WELCOME BACK SKËNDER GEGA
FK Kukësi njofton se Skënder Gega do të jetë trajneri i ri i skuadrës sonë për sezonin 2022-2023. Presidenca e klubit dhe trajneri kanë arritur marrëveshjen ditën e sotme dhe është vendosur që Gega të jetë në krye të stolit.
Skënder Gega rikthehet në Kukës pas një sezoni e gjysmë, duke qenë se në sezonin 2020-2021 drejtoi ekipin në Ligën e Europës dhe në kampionat, duke u larguar pas javës së 11 për shkak të gjendjes shëndetësore.
Prezantimi i trajnerit Gega do të bëhet ditën e hënë në ambientet e zyrave të klubit në stadiumin "KUKËS ARENA". Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje trajnerit Gega dhe suksese në krye të stolit tone”, shkruhet në postimin e Kukësit.
