
Jasir Asani ka zgjedhur të vijojë aventurën në Hungari. Ish-lojtari i Partizanit ka nënshkruar sot me skuadrën e Kisvardën, ekip që militon mes më të mirëve. Është klubi hungarez që ka prezantuar mëngjërashin e njohur përmes një njoftimi në kanalin zyrtar.
Asanin e konsiderojnë si më të mirin e kampionatit shqiptar duke shkruar: "Ekipi ynë është përforcuar me një nga lojtarët më të mirë të sezonit të fundit në kampionatin shqiptar. Jasir Asani do të vazhdojë karrierën e tij në Kisvarda. Ai nënshkroi kontratën sot".
Më tej është vetë Asani që ka folur për kanalin zyrtar të klubit hungarez duke u shprehur mjaft i lumtur për këtë aventurë të re të tij.
"Unë jam shumë i lumtur që do të vazhdoj karrierën time te Kisvarda. E ndjej se është një hap përpara në karrierën time. Kam kaluar një sezon të mirë, e di. Tani e tutje do të jap 100 përqind për ekipin tim të ri në mënyrë që të arrijmë rezultatet të mira. Kam biseduar me gjithë bashkatdhetarët e mi që luajnë në ligën hungareze dhe u inkurajova të provoj veten këtu. Jam i bindur që përmes Kisvardës do të arrij ekipin kombëtar", ka thënë ndër të tjera ai.
Në sezonin që lamë pas, skuadra e Kisvardës arriti ta mbyllte kampionatin në vendin e pestë me 46 pikë të grumbulluara. Kujtojmë që në Hungari, Asani do të përballet me Myrto Uzunin, lojtarin tonë të kombëtares që luan me skuadrën e Ferencvaroshit.