
Adolfo Sormani nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Klubi i kuq ka bërë me dije ndrëprerjen e bashkëpunimit me italianin, i cili e tradhtoi skuadrën në derbi kundër Tiranës (1-1) duke mos qenë prezent në pankinë. Justifikimi i tij prej frikës ndaj COVID-19, duket se nuk "ka pirë ujë" dhe drejtuesit kanë vendosur ta largojnë nga drejtimi i kampionëve. Ai që do të drejtojë skuadrën në 3 ndeshjet e mbetura është zëvendësi i tij, Renaldo Kalari. Në njoftimin e klubit të të Partizanit bëhej me dije:
"FK Partizani njofton sot ndërprerjen me efekt të menjehershëm të bashkëpunimit me trainerin Adolfo Sormani dhe dy pjestarët e stafit Giovanni Mazzella dhe Gabriele Façia. Klubi 16-të herë kampion i Shqipërisë në tre ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, do të drejtohet nga zv.traineri ekipit Renaldo Kalari".
Kujtojmë që Adolfo Sormani u emërua në krye të pankinës së kuqe pas largimit të Franco Lerdës për shkak të humbjes 2-1 në derbi kundër Tiranës. Edhe pse pritej që tekniku pasardhës të bënte më mirë, rezultatet s'i dhanë aspak të drejtë lëvizjes së drejtuesve.