Newsport.al ka mundur të marrë ekskluzivisht shkresën zyrtare që Policia e Tiranës i ka dërguar sot FSHF-së, Partizanit dhe Tiranës, ku është argumentuar pse nuk mund të zhvillohet të dielën ndeshja Partizani – Vllaznia në stadiumin “Selman Stermasi”. Në shkresën e policisë, janë shtjelluar arsyet pse ky takim nuk merret përsipër dhe kërcënimet për të cilat policia është informuar.
“Nga informacionet e marra rezulton se tifozët e KF Tiranës do të bojkotojnë ekipin e tyre, kjo në shenjë protestë të marrëveshjes së arritur ndërmjet KF Tirana, Bashkisë Tiranë dhe FK Partizani.
Tifozët janë shprehur se do të bllokojnë hyrjet e stadiumit, duke mos lejuar lojtarët e ekipit të Tiranës që të futen në stadium për t’u zhvilluar ndeshja. Ky fakt është konstatuar dhe më datë 26.01.2017, në kompleksin “Skënder Halili” ku tifozët nuk lejuan lojtarët e ekipit të Tiranës që të zhvillonin stërvitjen e rradhës duke krijuar incidente, protesta, sharje dhe goditje të lojtarëve etj.
Po kështu tifozët e Tiranës bojkotuan edhe ndeshjet Teuta – Tirana, më datë 28.01.2017, të cilët nuk shkuan në stadiumin “Niko Dovana” Durrës. Duke nga informacionet e pasqyruara në rrjetet sociale dhe ato të marra nga vetë tifozët, kemi mësuar se tifozët e Tiranës do të pengojnë me çdo mënyrë, deri në përplasje fizike me tifozët e Partizanit në rrugët e qytetit për të ardhur në stadium, si edhe do të bllokojnë hyrjet e stadiumit.
Tifozët e Partizanit gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të kryejnë akte të ndryshme dhune në stadium si dhe prishje dhe dëmtime të simboleve të klubit të Tiranës, dekorin e vendosur në stadium, thyerjen e stolave në shenjë hakmarrje ndaj tifozëve të Tiranës.
Ju bëjmë me dije se nisur nga situata e krijuar ndërmjet palëve, kushteve jo të mira të stadiumit, të cilat janë favorizuese për tifozët, për të shkaktuar incidente të ndryshme apo ngjarje të rënda, që mund të dëmtojnë rëndë jetën e sportistëve, albitrave dhe të vetë tifozëve, me qëllim shmangien e konflikteve mes dy grupeve të tifozëve, parandalimin e veprimeve antisportive apo kriminale, kërkojmë nga të gjithë aktorët që përfshihen në këtë proces, të bëhet e mundur një zgjidhje tjetër, pasi Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për situatën e krijuar e ka të pamundur marrjen e masave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve futbollistike”.
Shkresa zyrtare e policisë së Tiranës