Paraditen e sotme është rigrumbulluar ekipi i Kukësit pas pushimeve të marra kur përfundoi aventura europiane. Në mbledhjen e zhvilluar në zyrat e klubit, kanë folur presidenti Gjici, trajneri Gjoka dhe drejtori Dervishi.
"Në radhë të parë na shkoftë mbarë puna e këtij sezoni. Jam i sigurt se do të shkojmë larg dhe do të arrijmë objektivat e vendosura. I gjithë grupi që është këtu është pothuajse i plot, por mund të ketë edhe afrime të tjera, sigurisht lojtarë me peshë dhe që bëjnë diferencën. Këtë sezon objektivat i kemi të qarta, pasi duam titullin kampion. Kemi provuar shijen e Kupës së Republikës dhe avancimet në Europa League. Këtë edicion, primar kemi kampionatin, pa harruar edhe SuperKupën që është trofeu i parë sezonal për ne. Vlerësoj grupin, pasi është shumë i rëndësishëm. Unë jam partizan i grupit dhe harmonisë. Jam i sigurt se nëse punojmë si një “firzamonikë” ku secili repart ndihmon tjetrin dhe anasjelltas do të shkojmë larg.
Trajneri Ernest Gjoka është profesionist dhe unë kam shumë besim te ai. Tekniku do të ketë mbështetjen time absolute ashtu si të gjithë ju. Kemi ndërtuar një strukturë të mirëfilltë dhe hallkat e klubit do të funksionojnë më së miri dhe e përsëris që do të jenë në shërbimin tuaj, por të gjithë duhet t’i respektojnë, pasi kemi një trajner dhe një drejtor të Përgjithshëm që i dinë detyrat e tyre dhe normalisht raportojnë edhe te unë.
Për të mos e zgjatur, ju uroj edhe njëherë suksese dhe do të kthehemi më të fortë se kurrë! Kam besim te ju dhe jam i sigurt se do të “luftojmë” si një trup i vetëm", tha Gjici para lojtarëve.
“Besoj dhe uroj se do të jetë një sezon i mbarë dhe i suksesshëm. Kemi disa objektiva për të realizuar dhe arritja e tyre është motivim kryesor për ne. Jam shumë dakort me presidentin Safet Gjici, pasi edhe unë jam për bashkëpunim dhe harmoninë në grup. Duhet ta fiksojmë se grupi është çelësi i suksesit për çdo ekip. Duhet të punojmë shumë në stërvitje dhe të bëjmë maksimumin, pasi me punë përmbushet çdo objektiv. Na shkoftë mbarë”, u shpreh shkurtimisht Gjoka.
“Më vjen mirë që jemi mbledhur gjatë ditës së sotme për fillimin e punës. Jam i sigurt dhe kam besim se do të na shkojë mbarë. Duhet të jemi një grup i bashkuar dhe i fortë. Ne duhet që të mposhtim çdo ekip në fushën e lojës, pasi i kemi kapacitetet dhe mundësitë”, përfundoi Dervishi.