Sot, futbollistët e klubit Vllaznia kanë bojkotuar stërvitjen në Shkodër, pasi prej janarit vijojnë të mos paguhyen nga Bashkia e qytetit, ajo që është edhe aksionerja e kuqebluve.
Në një prononcim, administratori Suad Lici dhe kapiteni Gilman Lika e kanë pranuar një gjë të tillë, ndërsa sipas tyre gjendja është e papranueshme. Lici ka hedhur tezën se me përfundimin e kontratave të futbollistëve në qershor dhe paga e padhëna, Vllaznia mund të luaj me ekipin e dytë, çka do të ishte një humbje e madhe për elitën e futbollit shqiptar por edhe cënimin e garës në Superligë.
Kjo “flluskë” që plasi në Shkodër nuk është e vetmja, pasi edhe për shkak të pandemisë Covid-19, klubet e kanë pasur të pamundur që t’i paguajnë lojtarët, ndërsa nga ana e Qeverisë shqiptare nuk është dhënë asnjë ndihmë financiare. Kështu, në këto kushte të vështira, gara në Superligë do të cënohej rëndë, me lojtarët e papaguar dhe klube në vështirësi financiare, rikthimi i futbollit në datën 3 qershor ka treguar edhe njëherë plagët e sportit në vend.