
Vllaznia dhe Egnatia do të sfidojnë njëra-tjetrës në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë mes tyre do të luhet në “Loro Boriçi” duke nisur që nga ora 18:00.
Rrogozhinasit po shkruajnë historinë në Kupë, teksa prekin për herë të parë gjysmëfinalen. Tashmë të gjithë në Rrogozhinë shpresojnë se ky rrugëtim do të vazhdojë drejt finales, pasi përballë kanë “kafshatën” e preferuar. Por nga ana tjetër kuqeblutë duan trofeun e tretë rresht, pasi janë ata fitues në fuqi të Kupës së Shqipërisë.
Bilanci i dy ekipeve përballë njëra-tjetrës e thotë diçka të tillë. Në 11 sfida mes tyre skuadra e Edlir Tetovës ia ka dalë të fitojë 4 sfida, 4 të tjera kanë përfunduar në barazim dhe 3 duele kanë shkuar në favorin e kuqebluve.
Interesant është fakti se në këtë sezon shkodranët nuk ia kanë dalë të fitojnë asnjë ndeshje. 2 sfida i ka fituar Egnatia, ndërsa vetëm 1 prej tyre ka përfunduar në barazim. Mbetet të shihet se cili do të jetë fati i Egnatias në gjysmëfinale, nëse do ia dalë të thellojë diferencat, apo rrugëtimit të tyre drejt Kupës do t’i japë fund Vllaznia.