
Vllaznia njoftoi mbrëmjen e djeshme ndërprerjen me konsensus të kontratës së trajnerit Mirel Josa. Humbja ndaj Laçit rezultoi fatale në Shkodër me skuadrën që del nga gara e titullit, madje zbret në vendin e pestë jashtë Europës.
“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa. Falënderojmë trajnerin Josa për kontributin e dhënë në drejtimin e ekipit, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme. Ekipi do të vijojë punën nën drejtimin e trajnerëve Auron Miloti dhe Vioresin Sinani”, shkruhej në njoftimin e Vllaznisë.
Mirëpo, duket se Mirel Josa nuk e ka thënë ende fjalën e fundit dhe nuk ka rënë dakrod për prishjen e kontratës, sipas shtypit të shkruar. Tekniku tiranas nuk pranon të japë dorëheqje dhe tani mbetet për t’u parë nëse do të gjendet një gjuhë e përbashkët apo çështja do t’i kalojë gjykatës.