
Ekipi i Vllaznisë i ka bërë një nisje mbresëlënëse këtij sezoni. Në shtatë javët e para, klubi nga veriu i Shqipërisë ka siguruar 12 pikë duke bashkëkryesuar renditjen e kampionatit. Kjo ecuri ka bërë që edhe nga ana e pushtetit vendor të merren masat e duhura nga ana financiare, për të mos pasur kokëçarje me pagat.
Në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak, është miratuar fondi prej 20 milion lekësh (të rinj) që do të shkojnë kryesisht për pagat e futbollistëve por edhe punëtorëve të Klubit Sportiv Vllaznia. Kujtojmë që këta të fundit u ngritën në protestë disa javë më parë, për pagat e prapambetura. Duket se ngërçi ishte mes Bashkisë dhe Prefekturës, por këtë herë situata është zgjidhur.
Administratori Suad Lici, ka bërë një përmbledhje të shpenzimeve për buxhetin e shkuar si dhe planin për këtë sezon. Bie në sy se veç pagave apo detyrimeve tatimore, një shumë e konsiderueshme ka shkuar për ish-sulmuesin Atsina, që sipas një vendimi nga FIFA duhet të shlyhej me 5.4 milion lekë të rinj. Edhe ekipi i femrave ka marrë rëndësinë e duhur, pasi këtë sezon vajzat shkodrane shkuan deri në Ligën e Kampionëve. Ajo çka shqetëson, është mosshlyerja e futbollistëve për pagat e disa muajve; por që pritet të zgjidhet me fondin shtesë të aprovuar.