Klasikja e Shqipërisë është sfida që merr vëmendjen kryesore të futbollit shqiptar sa herë vjen momenti për t’u përballur. Vllaznia dhe Tirana përplasen për herë të 3-të këtë sezon, kësaj rradhe në ‘Loro Boriçi’, të shtunën në orën 17:00, e vlefshme për javën e 26-të të Superiores.
Ndryshe nga vitet e fundit, kjo Klasike sheh Vllazninë si favorite falë ecurisë fantastike të shkodranëve dhe zhgënjimeve të bardhebluve. Vllaznia kërkon vetëm fitoren në shtëpi përballë tifozëve shkodran që pritet të mbushin tribunat.
Një krahasim mes dy skuadrave, djemtë e Qatip Osmanit ‘mbysin’ në çdo aspekt ata të Erbim Fagut. Kjo Vllazni është vrasesë para portës dhe një digë në mbrojtje. Ildi Gruda dhe Bekim Balaj nuk mungojnë thuajse kurrë si autorë të golave dhe përballë do të kenë një mbrojtje që bën ‘dhurata’ si ajo e badhebluve.
Nga ana tjetër, prapavija kuqeblu është më e mira teksa ka pësuar më pak se të tjerët. Megjithatë, do të kenë punë të madhe për të bërë pasi Tirana, ashtu siç pranon, ashtu edhe shënon gola me thasë këtë sezon.