
Në Shkodër i kanë objektivat e qartë për merkaton që po troket. Klubi i Vllaznisë ka zhvilluar 16 javë të kënaqshme, teksa harmonia dhe loja e organizuar janë vënë re qysh në fillim të sezonit. Trajneri Mirsad Jonuz ia doli të mbajë të bashkuar një grup lojtarësh, në një qytet ku presioni i rezultatit është i dukshëm. Maqedonaso-veriori e ka bërë të qartë se dëshiron afrime në merkaton e janarit, duke piketuar kështu edhe elementët e parë.
Gjithçka mund të jetë e kryet për Realdo Filin, me mesfushorin që luan edhe në fazën sulmuese. Lojtari është nën kontratë me Luftëtarin, ku ka pasur një krisje me ish trajnerin Marantas. Fill pas humbjes me Kukësin, trajneri i Vllaznisë ka theksuar se ka folur me lojtarin (pa i përmendur emrin) dhe gjithçka është e kryer. Pritet të shihet nëse fjala është për Filin, që do e gjente veten mjaft mirë në Shkodër, me Jonuz që pëlqen lojën e 23 vjeçarit. Kuqeblutë kërkojnë edhe shërbimet e Camara, me 21 vjeçarin që ka shpallur "divorcin" me Kukësin përpara pak javësh.