
Në ditën e parë të shkollës, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vizitoi Fshatin SOS në Tiranë dhe u takua me fëmijët që kanë nisur sezonin shkollor për herë të parë. I shoqëruar nga Drejtoresha e Fshatit SOS, Mimoza Manaj dhe nga përfaqësues të tjerë të qendrës, Presidenti Duka ndoqi një seancë stërvitore futbolli dhe bashkëbisedoi me fëmijët, të cilëve iu uroi një vit të mbarë shkollor dhe i nxiti që të merren sa më shumë me aktivitetet sportive si një mënyrë që të kenë një jetë sa më të shëndetshme.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u dhuroi fëmijëve nga një çantë me uniforma të kombëtares dhe topa futbolli. Në prononcimin e dhënë gjatë kësaj vizite, Presidenti i FSHF-së uroi gjithashtu të gjithë fëmijët e Shqipërisë për një vit shkollor sa më të mbarë, ndërsa konfirmoi mbështetjen e Federatës për Fshatin SOS për bashkëpunime të tjera në të ardhmen.
“Si ditë e parë e shkollës, kemi ardhur sot për t’i uruar vit të mbarë fëmijëve në fshatin SOS dhe për t’i dhënë nga një dhuratë simbolike sportive, nga një uniformë të ekipit kombëtar. Nga ky fshat, i urojmë vit të mbarë mësimor të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Uroj që të mësojnë sa më mirë, të kenë një vit sa më të shëndetshëm sepse jemi pas një periudhe të vështirë pandemie, që në një lloj mënyre na ka kufizuar edhe në mësim apo qoftë më shumë edhe në sport.
I uroj këtyre fëmijëve të fshatit SOS dhe fëmijëve të gjithë Shqipërisë përveç programit mësimor, të luajnë sa më shumë edhe sport. Jo vetëm futboll, unë pretendoj që të luajnë futboll, por edhe sporte të tjera për t’u bërë fëmijë më të shëndetshëm, më të përgatitur për të ardhmen e tyre dhe për t’i shërbyer më shumë eksperiencës apo jetës së tyre në të ardhmen”, – tha Presidenti Duka, duke u ndalur edhe te projekti Uniforma Ime që është një mbështetje e madhe për fëmijët në të gjithë vendin.