Në "Procesin Sportiv" në Top-Channel është transmetuar edhe një herë tjetër video skandali kur menaxheri Drini Caushi bisedon me mesfushorin Emiljano Vila, të cilit i kërkon të tolerojë kundër Kukësit.
Por, në emisionin sportiv që transmetohet në Top-Channel, përmes një kronike për këtë ngjarje janë ngritur disa pyetje, një ndër të cilat: "A ka kontaktuar vetë presidenti i Kukësit, Safet Gjici me futbollistët e Partizanit për të toleruar?".
Një pyetje që "Procesi Sportiv" e ngre me faktin se në telefonin e Emiljano Vilës, në fund të bisedës me menaxherin Drini Caushi shihet një mesazh, ndërsa emri i personit është ai i Lorenc Trashit, futbollistit tjetër të Partizanit. Në mesazh shkruhet: "Safet të lutem mos na vër në siklet".
Pyetja është: Pse Vila i drejtohet Trashit me këtë mesazh dhe a është ky një mesazh që Gjici ia ka dërguar Vilës dhe ky i fundit ia ka dërguar shokut të tij të skuadrës?! Apo, Vila ka shënuar me emrin e Trashit, kontaktin e numrit të Safet Gjicit?
Ky mesazh është i datës 1 maj, pak ditë para ndeshjes Partizani-Kukësi.