
Largimi i Lewandowskit pritej të linte një problem 40 golësh tek kampionët bavarezë por ardhja e Mane dhe taktikat e Nagelsman kanë bërë të harrohen golat e polakut. Ndeshja e sotme, e vlefshme për javën e 3 në Bundesligë u kthye në stërvitore për të besuarit e Nagelsman duke shkatërruar me rezultatin e thellë 0-7 të “vegjëlit”e Bochum.
Ndeshja u hap në minutën e 4 me anë të Sane që shfrytëzoi asistin e Coman për të dërguar topin në rrjetë. 20 minuta më vonë do të vinte edhe goli i parë në kampionat për të sapoardhurin De Ligt. Pjesa e parë nuk mbaron me kaq teksa Bayern shënon edhe dy herë të tjera me Coman dhe Mane.
Pjesa e dytë ishte një “shtrydhje muskujsh” për bavarezët me trajnerin i cili bëri 4 zëvëndësime të shpejta direkt pas golit të shënuar me penallti nga Mane në minutën e 60. Një autogol në minutën e 69 dhe Gnabry në minutën e 76 do të mbyllnin sfidën e kësaj jave në Vonovia Stadium të Bochumit.
Bayern merr fitoren e tretë rradhasi duke shënuar 15 gola dhe duke pësuar vetëm një në ndeshjen hapëse ndaj Frankfurt teksa javën e ardhshme pret Gladbach-un në shtëpi.