
Ndeshja Lushnja – Vora, që përfundoi me fitoren e lushnjarëve 2 me 1 në Kategorinë e Parë, mund të riluhet. Kjo pas një gabimi gjatë sfidës nga arbitri Kreshnik Bajramaj.
Lojtari i Lushnjës Erjon Dragoj, u ndëshkua me karton të verdhë fillimisht në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Më pas mori dhe një tjetër karton të verdhë, kur luheshin sërish minutat shtesë.
Ishte minuta e 92’, kur Dragoj pa të verdhin e dytë të dilte nga xhepi i Bajramajt pas një faulli të shkaktuar. Kartoni i kuq supozohej të pasonte, gjë që nuk ndodhi dhe Dragoj vazhdoi 4 minutat e mbetura në fushën e lojës.
Fitorja e Lushnjës është e artë aktualisht, pasi ka mundësinë që me Korabin në sfidën e ardhshme të diskutojë cili prej tyre do luajë për mbijetesë dhe cili për objektivin Superiore.
Mbetet për t’u parë rruga e ndjekur nga Vora, pasi kjo ndeshje e luajtur dje ndikon në garën e Kategorisë së Parë. Për këtë më pas do të marrë vendim Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndëshkimi i Erjon Dragojt, dy herë me karton të verdhë gjatë ndeshjes: (VIDEO)