
Finalja historike e UEFA Conference League, që u luajt në “Air Albania”, u fitua nga Roma me rezultatin 1-0. Një gol i minutës së 31-të nga Zaniolo, vulosi fatet e takimit dhe Roma, bëhet kështu ekipi i parë fitues i këtij kompeticioni të ri.
Takimi nisi disi më mirë për Feyenoord, që kërkoi hapësira më në thellësi të zonës romake. Megjithatë, pas 10 minutash lëkundje, anija e Jose Mourinho u drejtua dhe Roma filloi të fitojë terren. Abraham u bë më aktiv dhe Pellegrini po ashtu, por ai që rezultoi vendimtar, ishte Zaniolo.
Pasi merr një pasim në zonë, Zaniolo i shpëton mbulit të mbrojtësit, e stopon mirë topin me gjoks dhe me një parabolë me të majtën, mposht portierin e Feyenoord, duke i çuar në ekstazë tifozët e Romës.
Në pjesën e dytë, ishte Feyenoord që dominoi, madje holandezët ishin të pafat, pasi goditën dy herë shtyllën. Fillimisht Sinisterra e më pas Maciala, ishin futbollistët e Feyenoord që u ndalën jo vetëm nga shtylla, por dhe nga portieri i Romës, Rui Patricio, që bëri një sfidë të shkëlqyer.
Deri në përfundim të takimit, nuk pati më gola dhe Roma bëhet kështu kampion i Conference League. Pas 61 vitesh, klubi romak rikthehet të fitojë një kompeticion europian dhe gjithçka për meritë të Jose Mourinho. Sa i takon shqiptarit të vetëm, Marash Kumbulla, nuk pati asnjë minutë për të, me trajnerin portugez që preferoi të mos bëjë ndryshime në qendër të mbrojtjes.
Episodet e sfidës
90' Mbyllet takimi në "Air Albania", Roma fiton me rezultatin 1-0.
51' Sërish pranë barazimit Feyenoord, sërish hero Patricio. Malacia gjuan fort me të majtën, pret portieri portugez, e më pas topi shkon në shtyllë!
50' Shtyllë nga Feyenoord, shumë pranë barazimit holandezët. Më pas, Sinisterra gjuan me të djathtën, ndërsa Patricio pret në mënyrë fantastike!
45' Mbyllet pjesa e parë mes Romës e Feyenoord, me italianët në avantazh. Goli i Zaniolos në minutën e 31-të, vendosi fatet e fraksionit të parë të lojës.
41' Feyenoord tenton barazimin, mesfushori Kokcu gjuan nga distanca, por pret portieri Rui Patricio.
37' Sherr në fushë, Pellegrini ndëshkohet me të verdhë. Sulmuesi Dessers është ai që nis të gjithë tensionin, duke rrëzuar në tokë Smalling. Më pas, arbitri ndërhyn dhe shuan gjakrat.
31’ GOOOL Zaniolo, Roma në avantazh! Pas 31 minutash lojë, fantazisti italian kalon romakët në avantazh. Festë e verdhekuqve, Mourinho ruan qetësinë.
15' Skuadrat bëjnë lojë të fortë, por ende i bardhë rezultati. Mourinho humb Mkhitaryan, i cili dëmtohet dhe i lë vend Sergio Olivera.
UEFA Conference League, finale
"Air Albania", Tiranë
ROMA - FEYENOORD 1-0
Zaniolo 31'
Formacionet zyrtare:
Roma: Rui Patricio, Karsdrop, Mancini, Ibanez, Smalling, Zalewski, Zaniolo, Pellegrini, Cristante, Mkhitaryan, Abraham
Feyenoord: Bijlow, Malacia, Senesi, Trauner, Geertruida, Til, Aursnes, Kokcu, Sinisterra, Dessers, Nelson