Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga kryefjala e mbrëmjes të së shtunës mes Tiranës dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 33-të të Abissnet Superiore, në kampin e kuq situata është ndezur pa zbritur akoma në fushë.
Bëhet fjalë për Xhuliano Skukën, i cili ka postuar në rrjetin e tij social një "baner" prezantues për derbin, të krijuar nga një faqe fan club i "Demave" të quajtur "Partizani Centre".
Në foto shihen sulmuesi dibran dhe Vusal Isgandarli, ndërsa pas tyre duket bandelora gjigande e tifozëve "Guerrils". Kaq mjafton që tek Partizani të shtohet uria për të fituar derbin e tretë radhazi në Superiore që do t'i mundësonte edhe "kyçjen" e përkohshme të vendit të 4-të që të çon drejt Final Four.
