
Atmosfera te Vllaznia ditët e fundit nuk është më e mira e mundshme. Situata me një largim të mundshëm të Tefik Osmanit për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Thomas Brdaric është kthyer në një “çështje” te kuqeblutë.
Por për të zgjidhur këtë “ngërç” ka menduar Alban Xhaferi. Kreu i klubit ditën e djeshme ka qenë i pranishëm në stërvitjen e ditës së djeshme. Xhaferi ka patur gjithashtu një takim “kokë më kokë” me Brdaric dhe Osmanin dhe ka zgjidhur problemet e fundit.
Kreu i kuqebluve nuk dëshiron të ketë largime në stafin teknik dhe në këton kushte nuk do të ketë largime në këtë pjesë. Gjithashtu ka kërkuar nga të dy maksimumin dhe arritjen e objektivave, pasi skuadra është ndërtuar sipas kërkesave të tyre. Siç duket në këtë mënyrë gjërat janë “sheshuar” dhe skuadra ka nisur punën intensivisht për startin e Superiores.