
Ndeshja në transfertë kundër Kalju tregoi qartë se Partizani është një ekip i qëndrueshëm dhe gati të avancojë në raundin tjetër të Conference League. Por fillimisht ata duhte të mposhtin skuadrën e mësipërme në “Air Albania”, sfida e parë u mbyll në barazim 1-1. Trajneri i “Demave të Kuq” Skënder Gega ka analizuar formën e ekipit të tij dhe rrezikshmërin e rivalit, duke u ndalur edhe në planin taktik:
“Përveç Kekos që është një mungesë e madhe për ne, të them të drejtën se kohët e fundit ka qenë aktiv, ka dhënë impakt dhe ka dhënë kontribut në ndeshjet e fundit. Patjetër kemi lojtarë të tjerë ta zëvendësojnë se është e pamundur të mos jemi të përgatitur, por të vjen keq që në ndeshjen e parë në Kupa, është dëmtuar. Kjo i takon diçkaje që nuk mund të kthejmë mbrapsht.
Pjesa tjetër ka qenë e shëndetshme, kemi pushuar, kemi bërë analizën e ndeshjes së kaluar, jemi munduar me detaje, në grupe, por edhe me pozicione të ndryshme t’i sqarojmë se kemi pasur dobësi si çdo ekip tjetër. Sot është seanca e fundit stërvitore. Patjetër, pa optimizëm nuk shkohet në asnjë vend në futboll. Jemi me shans se kemi ndeshjen e dytë, e kemi përpara publikut e tifozëve tanë. Shpresoj dhe besoj se do të bëjmë më të mirën.
Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë këtë ekip, nuk kam qenë në fokus apo i interesuar për këto klube, gjithmonë kam qenë për pjesën e Shqipërisë për klube apo kombëtare, dhe kur ka rënë shorti, jam munduar që të gjej informacion. Ndryshe nga vazo, nga ajo që është folur, unë duke qenë me këmbë në tokë, në momentin e parë që e kam parë në ndeshje, kam parë që është ekip i konsoliduar e luan mirë futboll.
Jam munduar që ta injektoj edhe te lojtarët, por gjithmonë kur ballafaqohesh direkt në fushë, e sheh saktësisht më afër dhe je më i qartë për kundërshtarin. Ndeshja e parë na ka treguar shumë gjëra, e njohim më mirë dhe në këtë ndeshje, kemi mundësinë që gabimet që kemi bërë në ndeshjen e parë, të mos i bëjmë më.
Por patjetër shoh entuziazmin, plus arma jonë është grupi, nuk veçoj asnjë. Do të mundohemi të gjithë të jemi 99 minuta fokus, plus shtesat e të tjera që duhet të japim nga vetja jonë, se e kemi detyrim. Por asgjë nuk mund të parashikohet. Ajo që parashikoj është që çdokush do të japë 100% që të marrim maksimumin që është kualifikimi. Unë mendoj se kishim pjesë të mira tonat atje, do mundohem t’i përforcoj.
Jo të mirat, momentet që pësuam edhe golin, jam munduar të punoj gjatë javës edhe me video e detaje me secilin. Në kampionat ata janë në mes, e kemi parë tre ndeshje të tyre drejtpërdrejt. Kam qenë i qartë që nuk është e lehtë, por është pjesa jonë në fushën tonë e publikun tonë.
Ai 90 minutësh na dha pak me shumë ide, se nuk kishim minuta në këmbë, se në miqësore kishim përdorur dy 11-she. Koha ka qenë e shkurtër, por u bënë ditë me ekipin. Javët e fundit të kampionatit dhe “Final Four”, një pjesë e ka arritur dhe në detyra janë solid. Ndaj në ndeshjen nesër besoj se do të jemi më mirë. Gjuajtësi i penalltisë? Sekret! Po të shohim.
Keko ka bërë disa të tilla, siç kanë bërë shumë lojtarë. Patjetër ka lojtarë që nuk kanë kontribut si ai, por mund të gjuajnë një penallti. Për një apo për pesë? Për një do e zgjidhim. Alban Hoxha ndoshta, e futim nga stoli”, u shpreh Gega.