Partizani fitoi sot 2 – 0 ndaj Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Një sfidë që nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fatin e saj me të kuqtë që realizuan shumë shpejt me Human.
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja e kishte përgatitur shumë mirë teknikisht ndeshjen, kjo falë edhe mbështetjes së stafit të vet. Ai e tregoi pas takimit që kishte punuar gjatë gjithë javës me ndihmësat e tij duke veçuar Realf Zhivanajn.
Ish-qendërmbrojtësi, një emër i njohur në kampionatin shqiptar e veçanërisht te Tirana që ka luajtur edhe titullar me bardheblutë. Tropojani u detyrua të varte herët këpucët në gozhdë, por duket se nga futbolli nuk ka ndërmend të heqë dorë.
Kërnaja tregoi për mikrofonat e RTSH se kishte punuar me goditjet standarte me ekipin, nën mbikqyrjen e kujdesshme të Zhivanajt që kishte ndjekur me vëmendje humbje e Tiranës 6 – 2 me Dinamon.
E pikërisht falë edhe ndihmës së tij, Partizani arriti të realizonte shumë shpejt me Human pas një topi të ardhur nga goditjet standarte.
