
Ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshje të vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Egnatia nuk ka gabuar duke arritur të mposhtë në shtëpi Bylisin me rezultatin e ngushtë 2-1.
Rrogozhinasit realizuan dy herë në pjesën e dytë me Ndrecën dhe Lushkjen, më pas mallakastriotët realizuan me Ayodeji, por pa arritur të shmangin humbjen e sotme. Me këtë fitore, Egnatia duket se ka filluar shkëputjen në garën për vendin e parë, duke kryesuar kampionatin me 42 pikë, dy më shumë se Vllaznia dhe katër më shumë se Partizani dhe Dinamo që janë një ndeshje mangut.
Nga ana tjetër, Bylisi gjendet në vendin e gjashtë, duke rrezikuar të kalohen nga Laçi dhe të barazohen nga Tirana.
Një fitore të rëndësishme ka korrur dhe Vllaznia në transfertë duke triumfuar ndaj Teutës në “Niko Dovana” me shifrat 3-1. Kjo fitore e ngjit përkohësisht ekipin shkodran në vendin e dytë me 40 pikë, dy më shumë se Partizani dhe Dinamo që luajnë nesër. Ndërsa durrsakët nga ana tjetër gjenden në krizë humbjesh duke u pozicionuar në vendin e tetë, duke patur një vend më poshtë Tiranën me dy pikë më pak që luan nesër.
