
Tirana do të përballet këtë të hënë me Elbasanin në transfertë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, nis në orën 18:00.
Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi. Ky i fundit ka folur për gjendjen e ekipit të tij dhe pritshmëritë për ndeshjen kundër Elbasanit.
Si është gjendja e ekipit?
Nuk është se po kalojmë një moment të mirë, të paktën psikologjik, jemi munduar të flasim me skuadrën, të rikuperojmë disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar. Të shikojmë edhe sfidën e fundit dhe të vendosim, por shpresojmë dhe mendoj që do të jemi ok.
Çfarë të presim kundër Elbasanit?
Shpirti luftarak duhet të jetë në maksimum. Duhet të jemi cinikë, kemi bërë shumë gabime në momentet që kalojmë në avantazh. Tregohemi ndonjëherë të vegjël për momentet pasi shënojmë gol. Ato momente që duhet të na japin qetësi, na japin më shumë nervozizëm dhe paqartësi, taktikisht apo dhe në mënyrën si duhet të zgjidhim gjërat kur të kemi topin në këmbë. Kemi folur, shpresoj që nesër të mos përsëriten këto gabime.
Prisni dhurata nga skuadrat pretendente që luajnë ndaj rivalëve tuaj?
Mendoj ndeshjen tonë, e di se çfarëdo të ndodhë, duhet të marrim pikët tona dhe të fitojmë ndeshjet tona. Është mënyra e vetme që të kalojmë këtë moment të vështirë dhe krizë.