
Vllaznia dhe Teuta kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ka përfunduar me rezultatin 0-0. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric.
“Ishte një ndeshje shumë e luftuar në të dyja krahët. Një Teutë shumë e tërhequr, e prisnim këtë. Po prisnim për një mundësi gjatë lojës, pasi ishte e vështirë. Ishte një ndeshje ku ne provuam, por ajo që bëmë nuk ishte e mjaftueshme. Kishim disa mungesa, nuk kishim balancë. Kishim probleme të vogla që u munduam t’i rregullonim. Besoj që një penallti në pjesë të parë dhe një në të dytën duhet ta merrnim dhe ta fitonim këtë ndeshje.
Në përgjithësi ne e dimë që mund të bëjmë më mirë se sot. Kemi ndeshje të mërkurën përsëri dhe të dielën. Kemi shumë ndeshje. Duhet të sakrifikojmë, prandaj nuk mund të kemi 100% fuqi. Po përpiqemi të rregullojmë. Patëm disa ndërrime dhe më pas erdhëm në këtë balancë që ju e patë. Një apo dy momente janë deçizive. Teuta kishte një goditje me kokë për të shënuar. Ne kishim një situatë me Delajn që mund ta bënte ndryshe. Ne duhet ta pranojmë, të nxjerrim konkluzione nga kjo ndeshje, s’kemi kohë. Dinamo po na pret të mërkurën.
Kemi bërë një sezon të mirë, kemi shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër. Jo në çdo ndeshje ekipi luan ashtu siç ti do. Jemi një skuadër me këmbë në tokë dhe kur jemi të gatshëm, jemi shumë të fortë. Nuk kam frikë. Kemi treguar në të shkuarën që ne mund të rikthehemi më të fortë, s’dua të ankohem për ekipin dhe situatën. Në futboll çdo gjë është afër dhe detajet janë deçizive. Sot detajet e vogla nuk ishin siç ne donim dhe ndeshja përfundoi 0-0”, tha Brdaric.