
Vllaznia dhe Teuta kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ka përfunduar me rezultatin 0-0. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i “Djemve të Detit”, Bledar Hodo.
“Mendoj që të rëndësishme ishin 3 pikët, ashtu si ishin ngjarjet, mendoj se duhet të dilnim me 3 pikë. Për pjesën e dytë 20 minutat e fundit dolëm shumë mirë, por finalizimi po na penalizon shumë këto kohë. Të jem i sinqertë, Arifit i kam lënë detyra të tjera kur kishim topin ne, pasi është një lojtar që e vuan shumë presionin, prej moshës që ka.
Por jam i kënaqur me të, nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë nga Arifi, ka potencial, por të rinjtë e kanë të vështirë. Ndërrimet i mendova më herët, ndërsa Toma bëri mjaft mirë. Mendova t’i jepja pak kohë se ndoshta mund të bënte diçka më mirë.
Edhe 4 finale? Këtë fundjavë luajmë me një skuadër shumë të mirë si Dinamo. Kam besim te çunat, po të japin maksimumin ja dalin. Ky është niveli i kampionatit shqiptar, nëse je i bashkuar, gjithmonë ja del”, tha Hodo.