Dardan Vuthaj ka reaguar për largimin e tij nga Egnatia dhe për përplasjen e supozuar me drejtuesit. Aventura e tij në Superiore zgjati vetëm 4 muaj, ndërsa me kampionët luajti 12 ndeshje, ku shënoi 2 gola dhe asistoi në 1 rast.
Sulmuesi në një prononcim për “Newsport.al” ka treguar të vërtetën e këtij largimi, ndërsa ka theksuar se nuk ka patur asnjë përplasje me drejtuesit, për të cilët ruan respekt maksimal. Ndër të tjera 29-vjeçari ka zbuluar edhe kontratën që ka nënshkruar me skuadrën italiane, Chieti që militon në Serie D.
“Po është e vërtetë që jam larguar nga Egnatia, por nuk është e vërtetë që jam përplasur me drejtuesit. Gjithçka është vendosur me mirëkuptim mes nesh. Menaxheri im dhe presidenti kanë biseduar dhe kanë rënë dakort që unë të largohem.
U largova para se të vinte merkatoja e janarit, pasi oferta erdhi në këtë moment dhe vendosa të firmos me Chieti. Unë me skuadrën kam firmosur një kontratë 3 vjeçare, teksa do të jem pjesë e tyre deri në vitin 2027.
Pavarësisht se çfarë është shkuar në media, unë me drejtuesit e Egnatias jam ndarë shumë mirë dhe kam shumë respekt për presidentin”, ka përfunduar Vuthaj.