
Teuta dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, ka përfunduar me rezultatin 0-0. Pas mbylljes së këtij dueli ka folur trajneri i “Djemve të Detit”, Bledar Devolli.
“Normal nuk ka kënaq rezultati sepse na duhen pikët. E rëndësishme është që po krijojmë indetitet si ekip, që kur nuk kemi topin të luajmë të gjithë për ta rikuperuar. Besoj se në pjesën e parë kishim më shumë volum sesa raste, në të dytën kishim disa mundësi. Po krijojmë një identitet, pastaj rezultatin nuk e kemi ne në dorë.
Dëmtimi i Zhongos? E njoh sepse e kam pasur te Kukësi, është lojtar i mirë. Këto janë çështje fati, nuk hamë dot inat. Kemi lojtarë të tjerë që mund të na japin një dorë, sepse na duhen patjetër pikë.
Ekipi i Dinamos ka cilësi dhe filozofi lojës, shpesh e ndryshojnë lojën. E kishim një informacion që mund të luanin me mesfushën romb. S’mund të bëjë ekipi ynë gjithë lojën presing larg, sepse torturohet. Në pjesën e dytë e menaxhuam mirë dhe nuk lamë shumë hapësira për lojtarët e Dinamos. Kjo më pëlqen ekipi, këtë kërkoj që të jemi të shkurtër, bllok dhe të sakrifikojmë të gjithë.
Aspekti emotiv? Kështu duhet të vazhdojmë. Nga nesër vazhdojmë të përulur në stërvitje. Korrigjimet tona i bëjnë mirë ekipet. Megjithatë jam i kënaqur nga dëshira dhe entuziazmi. Një ekip nëse s’ka këto të dyja, kot vazhdojmë”, është shprehur Devolli.