Flamurtari dhe Teuta do të përballen sot në kuadër të javës së 35-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Vlorës, do të startojë në orën 16:00.
Por vetëm pak minuta në prag të këtij dueli, klubi vlonjat ka dalë kundër vendimit të FSHF-së, që këtë ndeshje ta gjykojë Eldorian Hamiti. Flamurtari ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku shpreh indinjatën ndaj gjyqtarit lezhjan.
Sipas tyre, nën gjykimin e tij, ekipi i Flamurtarit ka pasur situata të diskutueshme që kanë ndikuar direkt në ecurinë e lojës dhe garës në kampionat. Ndër të tjera, klubi vlonjat thekson “njëanshmërinë” që Hamiti ka treguar në ndeshjet e tjera kur i ka gjykuar.
DEKLARATA:
Në prag të ndeshjes së sotme, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me përzgjedhjen e arbitrit Eldorian Hamiti për të gjykuar këtë takim.
Pavarësisht shkresave të dërguara në mënyrë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kemi paraqitur rezervat dhe problematikat tona të mëparshme, konstatojmë se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër.
Përvoja jonë me këtë arbitër ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme dhe situata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e lojës, duke krijuar dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë dhe standardin e gjykimit.
Në këto kushte, ritheksojmë kërkesën tonë për një vlerësim më të kujdesshëm dhe profesional në përzgjedhjen e arbitrave, në mënyrë që të garantohet një garë e drejtë dhe transparente për të gjitha palët.
Ky reagim nuk ka për qëllim të cenojë askënd personalisht, por të mbrojë integritetin e garës dhe interesin e klubit tonë.
