Partizani – Tirana mbrëmjen e sotme “paralizon” gjithë kryeqytetin. Në orën 20:00 do të përplasin “brirët” dy rivalët e përjetshëm. Spektakli është gjithëmonë i garantuar si në fushën e lojës edhe jashtë saj, ndërsa as emocionet nuk pritet të mungojnë.
2 “titanë” do të “luftojnë” mes tyre për fronin e kryeqytetit, me trajnerët do të luajnë “all-in” vetëm për fitoren. Fitore e cila vlen më shumë se 3 pikë, vlen për prestigj dhe krenari.
Skuadra e Aleksander Veselinovic vjen në këtë përballje pas dy barazimeve radhazi, ndërsa nga krahu tjetër të besuarit e Bledi Shkëmbit vijnë pas 5 barazimesh.
Statistika këto që tregojnë se kjo përballje do të jetë një “luftë” e vërtetë mes 2 skuadrave. Ndërkohë nëse hedhim një sy nga duelet e të kaluarës vëmë re se Partizani prej 2 vitesh është i pamposhtur në derbi.
Në 7 përballjet e fundit mes tyre të kuqtë ia kanë dalë të triumfojnë në 5 derbi, ndërsa 2 prej tyre kanë përfunduar në barazim. Ndërkohë humbja e fundit në derbi ndaj Tiranës është më 2 tetor 2022. Në atë takim bardheblutë do të triumfonin 2-0 ndaj të kuqve, ku Redon Xhixha do të shënonte dopietë. Interesant është fakti që si në sfidën e sotme ashtu edhe në atë të para dy vitesh “goglat” kanë shortuar që gjyqtar kryesorë të jetë Juxhin Xhaja. Arbitri kryeqytetas ishte dëshmitar i fitores spektakolare të Tiranës 5-1, ndeshje që ndryshoi gjithë sezonin për bardheblutë.